Xhemile Fetaji nderohet nga presidentja e Zvicrës me titullin “Hero i përditshmërisë

Një grua dhe një burrë nga çdo kanton, si dhe nga zviceranët që jetojnë jashtë vendit, nderohen për kontributin e veçantë të dhënë për shoqërinë tonë gjatë kohës së masave kundër koronësNë nderim të festës nacionale të Zvicrës, 1 gushtit, presidentja e konferderatës, Simonetta Sommaruga sot në Rütli ka ndarë mirënjohjet për “heronjtë e përditshmërisë”.

Në solemnitetin që po vazhdon edhe në këto momente, në vendin ku janë vënë themelet e Zvicrës, zonja Sommaruga ka kujtuar meritat e të gjithë njerëzve në luftimin e koronavirusit, kësaj pandemie që prej disa muajsh ka pushtuar si gjithë botën, edhe Zvicrën.

Një grua dhe një burrë nga çdo kanton, si dhe nga zviceranët që jetojnë jashtë vendit, nderohen për kontributin e veçantë të dhënë për shoqërinë tonë gjatë kohës së masave kundër koronës, shkruan albinfo.ch. Ky kontribut konsiston, qoftë në transportin publik, në supermarkete apo farmaci, në ekipin kantonal të krizave ose në blerje për fqinjët e moshuar, në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit ose në qendrat e të moshuarve.

Presidentja u ka dhuruar të gjithë “heronjve” nga një fidan molle, të cilin ata/ato duhet ta marrin me vete në kantonin prej nga vijnë dhe ta mbjellin atje.

Në mesin e të nderuarve është edhe bashkatdhetarja jonë, Xhemile Fetaji nga Gostivari.

Xhemile Fetaji është një punonjëse në sferën e integrimit, migracionit dhe të të drejtave të gruas në kantonin Thurgau. Veç tjerash, ajo ka qenë kandidate për t`u zgjedhur deputete në Parlamentin e Kantonit të saj. Për këtë kandidim dhe për aktivitete tjera të saj, ka shkruar edhe albinfo.ch.

Ndërkohë, aktivistja me rrënjë nga Gostivari, ka treguar një angazhim të veçantë edhe në luftimin e koronavirusit në regjionin ku jeton.

Duket se këto dhe aktivitetet tjera të zonjës Fetaji nuk kanë kaluar pa u vënë re, transmeton albinfo.ch. Kështu, ajo është caktuar së fundi nga autoritetet federale të Zvicrës për t`i ndarë një mirënjohje të lartë nga vetë presidentja federale, Simonetta Sommaruga për festën nacionale të Zvicrës, 1 Gushtin.